 Ka përfunduar seminari i tretë i Shkollës Politike të Prishtinës për "Komunikimin Politik dhe Lidershipin" që është mbajtur në Durrës nga 1-3 qershor. Në të kanë ligjëruar akademikë dhe politikanë të profilit të lartë, ku pos temave të komunikimit politik, fushatave zgjedhore, të folurës publike, populizmit, etikës së komunikimit është diskutuar edhe për komunikimin ndërmjet elitave politike shqiptare.
Adri Nurellari, njëri prej kontribuesve më të rregullt në Shkollën Politike ka folur për hyrjen në komunikimin politik dhe praktikat, llojet e komunikimit dhe si është zhvilluar historikisht në dekadat e fundit në vendet demokratike. Po ashtu, Nurellari ka shpjeguar edhe transformimin e mënyrës së komunikimit në varësi të zhvillimit teknologjik dhe massmedias. Në një tjetër ligjëratë, Nurellari ka diskutuar për fushatat zgjedhore, si organizohen ato dhe si është transformuar edhe politika e komunikimi në një marrëdhënie me publikun.
Një tjetër ligjëruese nga Universiteti i Tiranës, Mandeta Minxhozi ka folur për etikën në komunikim, të folurën publike dhe rregullat që duhet ndjekur. Në veçanti është ndalur dhe fokusuar në shembujt e politikanëve shqiptar, ballkanas dhe perëndimor. Historiani Pirro Misha, një studiues i njohur nga Instituti i Dialogut dhe Komunikimit ka folur për populizmin, gjithnjë në rritje duke shpjeguar konceptin, dhe anët negative e pozitive të tij. Në masë të madhe sipas Mishës, populizmi keqpërdoret dhe është një mjet i rrezikshëm në duart e politikanëve për të kapur pushtetin dhe pas tij. Premtimet pa mbulesë dhe shpikja e armiqve e kundërshtarëve në emër të populizmit përdoret me të madhe, edhe ndër shqiptarë së fundi në Shqipëri dhe Kosovë. Profesori i Universitetit te Prishtinës, dhe njohësi i teorive të opinionit, Nait Vrenezi ka folur para grupit të Shkollës Politike për mënyrën e të bindurit, si transmetohet mesazhi dhe si kuptohet ai deri tek ndryshimi i qëndrimeve të njerëzve, sjelljet e tyre varësisht nga rrethanat dhe konteksti. Ai është ndaluer edhe tek obedienca. Një sesion i posaqëm i këtij seminari është fokusuar në takimin ndërmjet dy Shkolla Politike nga Prishtina dhe Tirana ku tre ligjërues nga Kosova (Glauk Konjufca, Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës), Shqipëria (Mentor Nazarko, Publicist) dhe Maqedonia (Kim Mehmeti, Shkrimtar) kanë diskutuar për komunikimin ndërmjet elitave politike shqiptare dhe me median. Që të tre ligjëruesit kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për këtë lloj komunikimi aktual përderisa një pjesë e rëndësishme e sesionit është zhvilluar në diskutimet e të dyja grupeve duke vënë edhe komunikimin e parë ndërmjet dy shkollave që mbështeten nga Këshilli i Evropës para udhëtimit për në Strasburg në Forumin Botëror për Demokraci. |