Jeni duke shikuar: Home arrow Pėr ne arrow Lajmet arrow Albert Rohan nė Shkollėn Politike, flet pėr Evropėn dhe Kosovėn
Albert Rohan nė Shkollėn Politike, flet pėr Evropėn dhe Kosovėn
Albert Rohan nė Shkollėn Politike, flet pėr Evropėn dhe Kosovėn
Ish negociatori për statusin e Kosovës, Albert Rohan ka ligjëruar në Shkollën Politike të Prishtinës për temën “Quo vadis Evropa”. Përgjatë një ore, Rohan para gjeneratës së dhjetë dhe Alumnive të PIPS-it ka folur për krizën aktuale në Evropë, kriza e Greqisë, eurozona, politika e jashtme e përbashkët e deri tek raportet Francë-Gjermani pas zgjedhjes së Presidentit të ri. Pashmangshëm ai ka folur edhe për Kosovën, planin Ahtisaari dhe fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Aktiviteti i është pasqyruar edhe në mediat kosovare. Më poshtë, shkrimi në të përditshmen Koha Ditore

Në qershor të këtij viti, Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të mblidhet në Vjenë. Grupi i shteteve që mbështesin pavarësinë e Kosovës do të vlerësojnë nëse Kosova ka zbatuar Pakon e Ahtisaarit plotësisht në pjesët e tjera të vendit, përpos veriut. Nëse një gjë e tillë është arritur, do të merret vendim për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Të njëjtin njoftim, Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të bëjë në Prishtinë me 10 shtator. Planin e ka zbuluar në Prishtinë, ish-ndërmjetësi për statusin, Albert Rohan. Diplomati austriak që bashkë me ish-presidentin Ahtisaari kanë hartuar propozimin për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, ka thënë se ka mirëkuptim për pamundësinë e zbatimit të Pakos së Ahtisaarit aktualisht në veri, porse nuk ka zgjidhje tjetër për veriun. Gjatë një ligjërate në Shkollën Politike të Prishtinës (PIPS), Rohan ka thënë se u takon kryeministrit Hashim Thaçi dhe Qeverisë së tij që t`i bindin serbët e veriut se Plani i Ahtisaarit është i duhuri. “Është një listë e gjërave që duhet bërë për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit në gjithë vendin deri në qershor. Në qershor do të mblidhet GND-ja në Vjenë për të marrë vendimin që të përfundojë mbikëqyrjen. Më dhjetë shtator, GND-ja do të vijë për të njoftuar këtë vendim”, ka thënë ish-ndërmjetësi. “Jam kundër ndarjes në veri. Ka shumë gjëra që serbët e veriut nuk i dinë për Planin e Ahtisaarit... Nuk ka plan tjetër për veriun, pos Ahtisaarit. Nuk ka zgjidhje tjetër për veriun pos që t`i bindin serbët se Plani i Ahtisaarit është i mirë për ta. Duhet zbatuar planin plotësisht në pjesët e tjera dhe t`u tregoni atyre se çfarë mund të bëhet me këtë plan”, ka thënë Rohan. Diplomati që është angazhuar gjatë në çështjet e Ballkanit dhe të Kosovës ka thënë se është i zhgënjyer me sjelljen e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. “Është i tyre gabim dhe për keqardhje. Mosnjohja e tyre nuk ka të bëjë me Kosovën, por me çështje të brendshme të tyre dhe pengon stabilizimin e këtij rajoni. Miqtë e mi në Serbi më thonë si ta njohim pavarësinë e të jemi më pak patriotë se grekët, sllovakët etj.”, ka thënë Rohan. Në ligjëratën ku ka folur për krizën aktuale në Evropë, ish-ndërmjetësi ka thënë se Bashkimi Evropian po vuan nga dilemat që nuk i ka zgjidhur prej kur është krijuar e që janë: A është federatë apo vetëm një union ekonomik?! Sipas Rohanit, vendet e BE-së e duan unionin, por nuk janë të gatshme që të heqin dorë nga sovraniteti i tyre i brendshëm dhe i jashtëm dhe kjo e dëmton unionin. “Ju e shihni këtë idenë që të flitet për politikë të jashtme të përbashkët të BE-së. Në fakt, nuk ka një të tillë. Kemi 27 politika të ndryshme të jashtme. Dhe kjo vërtetohet edhe në raport me Kosovën”, ka thënë Rohan. Sipas tij, u takon grekëve që në një të ardhme të afërt të vendosin nëse do t`i vuajnë pasojat ekonomike dhe të mbesin pjesë e Bashkimit Evropian, apo të largohen nga BE-ja dhe krahas pasojave ekonomike të shkaktojnë edhe pasoja politike. Sipas tij, vendet e Ballkanit nuk duhet të presin që BE-ja t’u tregojë se çfarë duhet të bëjnë. “Perspektiva evropiane është një moto anonime për zgjidhjen e konflikteve. Këtë e kryen procesi i zgjerimit. Nëse do të kishim një politikë të përbashkët të BE-së do të ishte më e lehtë. P.sh., nuk do të ekzistonte problemi i emrit të Maqedonisë, ose mosnjohja e Kosovës. Por te Bosnja ndryshon situata. Çështja e kushtetutës atje nuk i takon BE-së por boshnjakëve. Pastaj çështjen e zhvillimit ekonomik, sundimin e ligjit, plotësimin e kritereve të Kopenhagës nuk e bënë BE-ja. Ju vetë duhet t`i bëni”, ka thënë Rohan.
 
© Copyright, 2013. Prishtina Institute for Political Studies.
Re-designed and developed by: Sfera Interactive Studio