 Instituti i Prishtinës për Studime Politike, PIPS ka përzgjedhur gjeneratën e dhjetë të Shkollës Politike për vitin 2012. Pas afatit prej dy javësh të hapjes së konkursit, pranimit të qindra aplikacioneve dhe selektimit përmes intervistave e testeve, PIPS ka përzgjedhur grupin e ri të Shkollës Politike.
Të pranuarit përfaqësojnë institucionet publike dhe të pavarura, partitë politike, OJQ, mediat e bizneset. Ata pritet të ndjekin një program intensiv akademik që fillon në janar dhe përfundon në nëntor 2012. Programi konsiston në kombinim seminaresh kombëtare, ligjërata, punëtori brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, grupi merr pjesë në tetor në Forumin Botëror për Demokraci në Strasburg të Francës. Përgjatë një viti, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin një program të pasur akademik që prej temave për demokracinë, zgjedhjet, partitë politike, kultura politike, qeverisja, zhvillimi ekonomik, shoqëria civile, mediat, komunikimi politik, energjia e deri tek çështjet evropiane. Në fund, grupi certifikohet nga PIPS dhe Këshilli i Evropës. |